Mbledhja e Konstituimit të Këshillit dhe betimit të Kryetarit të Bashkisë Divjakë.
10/06/2023145 vjet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881).
10/06/2023NJË QEVERISJE E MIRË KUJDEST QË INTERESAT E GJENERATAVE TË ARDHSHME TË MOS MERREN PENG NGA MIOPIA E VENDIMMARRJEVE TE SOTME .
Fjala përshëndetëse , mbajtur ngaPrefekti i Qarkut Fier Z. Lefter Shehaj,në emër të Institucionit të Prefektit të Qarkut Fier, me rastin e mbledhjes së konstituimit të këshillit bashkiak Mallakastër dhe ceremonisë së betimit të kryetarit të kësaj bashkie z. Qerim Ismailaj.
Të nderuar deputetë z. Taulant Balla dhe z. Ismet Beqiraj!
I nderuar Sekretar i Këshillit Bashkiak!
Të nderuar Këshilltarë Bashkiakë të sapo zgjedhur!
I nderuar Kryetar i rimandatuar z. Qerim Ismailaj!
Të nderuar të ftuar dhe qytetarë të bashkisë Mallakastër!
Më lejoni që në emër të institucionit të Prefektit të Qarkut Fier, t’ju uroj punë të mbarë në këtë mbledhje të parë për konstituimin e këshillit të bashkisë tuaj. Ky është një moment i rëndësishëm solemn, për secilin prej jush, qofshi të zgjedhur për herë të parë apo të rizgjedhur, solemnitet që lidhet me formulën e betimit ku ju nënshkruani vënien e nderit tuaj si kolateral të angazhimit për t’i shërbyer interesit më të mirë të qytetarëve të Bashkisë Mallakastër dhe për rritjen e mirëqenies së tyre .
Në 14 maj qytetarët e Bashkisë Mallakastër, ushtruan sovranitetin e tyre politik nëpërmjet votës, duke ju autorizuar ju, të jeni zëri i vullnetit të tyre në aktivitetin e kontrollit të qeverisjes lokale .
Qytetarët zgjodhën të kenë një nga këshillat më pluralist të Qarkut për nga përkatësia politike dhe kolor përsa i përket moshës , gjinisë, përvojës, profesioneve, shtresave shoqërore apo statusit ekonomik, çfarë të krijon idenë se janë përfaqësuar të gjitha interesat e komunitetit .
Në kushtet e pamundësisë së ushtrimit të demokracisë direkte shoqëria shpiku demokracinë përfaqësuese apo thënë ndryshe demokracinë e deleguar, duke i besuar të zgjedhurve të ushtrojnë kontrollin mbi qeverisjen vendore në emër dhe për llogari të interesave të saj.
Të nderuar anëtarë të parlamentit vendor të Bashkisë Mallakastër! Edhe pse keni ardhur si nominim i partive politike, në ushtrimin e detyrës duhet të udhëhiqeni nga qëllimi jo nga qasja .
Kam parasysh këtu që të gjitha partitë politike deklarojnë të njëjtin qëllim , zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale, por ajo që bënë diferencën midis tyre është qasja drejt këtij qëllimi, që është e ndryshme .
Kujdesuni që të mos sakrifikoni qëllimin për qasjen e përzgjedhur, për përmbushjen e tij.
Struktura politike e këtij këshilli tregon se nuk kemi të bëjmë me shumicë domethënëse e vendimmarrëse të ndonjë partie, por kjo nuk duhet kurrsesi të çojë në pengmarrjen e tij nga tërësia e pakicave.
Ky konfigurim i këshillit bashkiak e vendos secilin prej jush dhe të gjithë ju së bashku, para një ushtrimi demokracie, duke e vënë në sprovë aftësinë tuaj për të marrë vendime të bazuara në konsensus.
Heterogjeniteti politik i këtij këshilli bënë që çdo anëtar të ndihet i motivuar në angazhimin e tij, duke treguar se nuk është aty për të bërë spektatorin, as për të bojkotuar apo për të kundërshtuar pa arsye, por për të polemizuar në mënyrë konstruktive e për tu bërë një alternativë zhvilluese .
Zonja e zotërinj këshilltarë! Në ushtrim të mandatit tuaj duhet të tregoheni vullnet-plotë për të përmbushur njëherësh përgjegjësitë para ligjit dhe përgjegjësitë para qytetarëve .
Ne aktivitetin e këtij këshilli do ju takoj të merrni vendime rutinë, me pasoja afatshkurta dhe me kosto minimale apo të moderuar, sikundër do të ketë edhe raste kur të sprovoheni nga vendimmarrje të rëndësishme me efekte që i kalojnë dekadat e me kosto të konsiderueshme .