Komptenca kryesore e prefektit të qarkut në raport me njësitë e vetëqeverisjes vendore është verifikimi i ligjshmërisë së akteve me karakter normativ, bazuar në ligjin nr.107/2016 “Për prefektin e qarkut”, neni 16:

  1. Zbatimi i akteve të organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore bëhet në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin për vetëqeverisjen vendore.
  2. Prefekti i qarkut bën verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave mekarakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore, pa penguar zbatimin e tyre, duke respektuar procedurën e mëposhtme:

(a) çdo organ i njësisë së vetëqeverisjes vendore është i detyruar të depozitojë te prefekti i qarkut të gjitha aktet me karakter normativ, brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së tyre. Marrja dijeni nga prefekti i qarkut për aktin e depozituar nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore vërtetohet me regjistrimin e tij në zyrën e protokollit të prefektit;

(b) për çdo akt të regjistruar në zyrën e protokollit, prefekti i qarkut detyrohet të shprehet për ligjshmërinë e tij, brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit, sipas procedurave të mëposhtme:

(i) në rastet kur vëren papajtueshmëri ligjore të aktit, prefektit të qarkut i lind e drejta t’ia kthejë atë organit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke argumentuar shkeljet e vërejtura. Në këtë rast, organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore rishqyrton aktin;

(ii) vendimi i marrë nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, pas rishqyrtimit të aktit të kthyer nga prefekti i qarkut, depozitohet pranë prefektit të qarkut me të njëjtën procedurë dhe afat sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të kësaj pike;

(iii) në rast se vërehen përsëri papajtueshmëri ligjore në aktin e rishqyrtuar, prefekti i drejtohet gjykatës kompetente për çështjet administrative, nën juridiksionin e së cilës është organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke kërkuar deklarimin e pavlefshëm të këtij akti. Prefekti i qarkut ka të drejtën e kthimit vetëm një herë të një akti;

(iv) në rastet kur vëren shkelje ligjore në akt dhe vlerëson se kthimi i aktit nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore nuk do të jetë i frytshëm, prefektit i lind e drejta që, pa ndjekur procedurën e përcaktuar në shkronjën “b”, nënparagrafi “i”, të kësaj pike, të kërkojë pavlefshmërinë e aktit drejtpërdrejt në gjykatën kompetente për çështjet administrative, nën juridiksionin e së cilës ndodhet organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Kur kërkon pavlefshmërinë e aktit në gjykatë, prefekti i qarkut njofton organin e njësisë së vetëqeverisjes vendore.