- Misioni i prefektit të qarkut është përmbushja e detyrimeve për të garantuar zbatimin e programit politik të Këshillit të Ministrave, në nivel qarku.
- Prefekti i Qarkut është përfaqësues i Këshillit të Ministrave, në nivel qarku.
Fushat kryesore te veprimtarise se Institucionit te Prefektit te Qarkut
Marrëdhëniet e prefektit të qarkut me degët territoriale
- Për kryerjen e funksioneve në marrëdhënie me degët territoriale që veprojnë në qark, Prefekti i Qarkut ushtron përgjegjësitë e mëposhtme, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj:
- kontrollon dhe kërkon marrjen e masave për zbatimin e programit të qeverisë, për ushtrimin e funksioneve dhe plotësimin e detyrave të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë e degës përkatëse;
- kërkon hartimin e planeve të zhvillimit dhe të projektbuxhetit vjetor, sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe u paraqet mendimet e tij ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore;
- ndjek kërkesat dhe ankesat e shtetasve deri në zgjidhjen e tyre;
- kërkon të dhëna dhe informacione nga dega territoriale që vepron në qark, me përjashtim të rasteve kur ndalohet me ligj ose me akte nënligjore, për shkak të klasifikimit të informacionit të kërkuar. Degët territoriale që veprojnë në qark informojnë prefektin e qarkut për çështje, për të cilat kërkohet informacion;
- harton çdo fund viti raportin mbi bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë me degët territoriale që veprojnë në qark, dhe ua paraqet ministrive përgjegjëse dhe Kryeministrit.
- Degët territoriale që veprojnë në qark dërgojnë kopje të planit të zhvillimit, të projektbuxhetit, të strukturës dhe të organikës te prefekti i qarkut.
Verifikimi i ligjshmërisë së akteve
- Zbatimi i akteve të organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore bëhet në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin për vetëqeverisjen vendore.
- Prefekti i qarkut bën verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore, pa penguar zbatimin e tyre, duke respektuar procedurën e mëposhtme:
- çdo organ i njësisë së vetëqeverisjes vendore është i detyruar të depozitojë te prefekti i qarkut të gjitha aktet me karakter normativ, brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së tyre. Marrja dijeni nga prefekti i qarkut për aktin e depozituar nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore vërtetohet me regjistrimin e tij në zyrën e protokollit të prefektit;
- për çdo akt të regjistruar në zyrën e protokollit, prefekti i qarkut detyrohet të shprehet për ligjshmërinë e tij, brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit, sipas procedurave të mëposhtme:
- në rastet kur vëren papajtueshmëri ligjore të aktit, prefektit të qarkut i lind e drejta t’ia kthejë atë organit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke argumentuar shkeljet e vërejtura. Në këtë rast, organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore rishqyrton aktin;
- vendimi i marrë nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, pas rishqyrtimit të aktit të kthyer nga prefekti i qarkut, depozitohet pranë prefektit të qarkut me të njëjtën procedurë dhe afat sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të kësaj pike;
- në rast se vërehen përsëri papajtueshmëri ligjore në aktin e rishqyrtuar, prefekti i drejtohet gjykatës kompetente për çështjet administrative, nën juridiksionin e së cilës është organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke kërkuar deklarimin e pavlefshëm të këtij akti. Prefekti i qarkut ka të drejtën e kthimit vetëm një herë të një akti;
- në rastet kur vëren shkelje ligjore në akt dhe vlerëson se kthimi i aktit nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore nuk do të jetë i frytshëm, prefektit i lind e drejta që, pa ndjekur procedurën e përcaktuar në shkronjën “b”, nënparagrafi “i”, të kësaj pike, të kërkojë pavlefshmërinë e aktit drejtpërdrejt në gjykatën kompetente për çështjet administrative, nën juridiksionin e së cilës ndodhet organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Kur kërkon pavlefshmërinë e aktit në gjykatë, prefekti i qarkut njofton organin e njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Verifikimi i përgjegjësive të deleguara
- Prefekti i qarkut verifikon realizimin e funksioneve e të përgjegjësive të deleguara nga pushteti qendror dhe përdorimin e fondeve të parashikuara për këto funksione, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Prefekti i qarkut verifikon përdorimin e fondeve, donacioneve apo kredive që rrjedhin nga marrëveshje të qeverisë me organizma ndërkombëtarë.
- Në rast se gjatë verifikimit konstatohen shkelje ligjore, prefekti i qarkut informon ministrin, ministrin përgjegjës të funksioneve të deleguara, si dhe Kryeministrin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij neni, dhe, kur është e nevojshme, u drejtohet organeve ligjzbatuese.
Shqyrtimi i ankesave dhe zgjidhja e konflikteve
- Prefekti i qarkut shqyrton ankesat e shtetasve për ligjshmërinë e akteve me karakter normativ të nxjerra nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore. Në këto raste, i kërkon organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore depozitimin e aktit përkatës te prefekti i qarkut, kur një gjë e tillë nuk është bërë më parë, ose zbaton procedurat e përcaktuara në nenin 16, të këtij ligji.
- Ankesat e shtetasve shqyrtohen nga prefekti i qarkut sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.
- Prefekti i qarkut informohet për konfliktet që lindin ndërmjet:
- institucioneve të ndryshme, në nivel qarku;
- institucioneve dhe shtetasve, në nivel qarku.
Në këto raste, prefekti i qarkut ka detyrim të përfshihet në zgjidhjen e tyre, duke adresuar konfliktin pranë institucioneve përgjegjëse.
Emergjencat Civile
- Prefekti I Qarkut pergjigjet per drejtimin e strukturave për parandalimin, menaxhimin, rehabilitimin e pasojave në rastet e emergjencave civile;
- Në raste të veçanta, në përputhje me legjislacionin përkatës, prefekti i drejtohet ministrit të Mbrojtjes për angazhimin e njësive të Forcave të Armatosura dhe kërkon mbështetje për përballimin e detyrave me karakter civil dhe në veçanti në përballimin e situatave të emergjencave civile e të krizave.